Pyetje & Pergjigje

Përgjigje në pyetjet më të shpeshta

Për lehtësinë tuaj në pjesën anash ne ju kemi ofruar përgjigjet në disa nga pyetjet më të shpeshta. Nëse nuk e gjeni përgjigjen në pyetjen tuaj, atëherë ndihuni të lirë të na kontaktoni përmes formes apo telefonit.

Në KUTIA trajtimi i fëmijëve mund të fillojë që para moshës 2-vjeçare, sapo të identifikohen shenjat e para të vështirësive në zhvillim. Përvoja jonë klinike ka treguar se ndërhyrja e hershme është një nga faktorët më të rëndësishëm për progresin e fëmijës.

Kemi pasur raste shumë të suksesshme të fëmijëve që kanë filluar trajtimin që në moshën 17-muajshe, duke përfituar ndjeshëm në komunikim, zhvillimin social, aftësitë adaptive dhe funksionimin e përgjithshëm.

Megjithatë, trajtimi nuk kufizohet vetëm te moshat e hershme. Në KUTIA ofrojmë vlerësim dhe ndërhyrje për fëmijë dhe adoleshentë, duke e përshtatur planin terapeutik sipas moshës, nevojave dhe objektivave individuale të secilit. Sa më herët të fillojë ndërhyrja, aq më të mëdha janë mundësitë për të arritur rezultate optimale në zhvillimin e fëmijës.

Autizmi nuk konsiderohet një sëmundje që “shërohet”, por një çrregullim neurozhvillimor që e shoqëron personin gjatë gjithë jetës. Megjithatë, me ndërhyrje të hershme, intensive dhe të individualizuar, fëmijët arrijnë përmirësime të konsiderueshme në komunikim, aftësitë sociale, pavarësi dhe funksionimin e përgjithshëm. Shkalla e progresit ndryshon nga një fëmijë te tjetri dhe varet nga faktorë si mosha e fillimit të trajtimit, simptomatologjia dhe vazhdimësia e ndërhyrjes. Qëllimi i trajtimit është zhvillimi maksimal i potencialit të çdo fëmije dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së tij dhe familjes. KUTIA numron një numër shumë të lartë të fëmijëve të cilët kanë filluar trajtimin si fëmijë me gjendje jo të lehtë, por përmes trajtimit kanë arritur të përfundojnë trajtimin e plotë dhe të jenë të pavarur në jetën e përditshme.

Nuk ka një kohëzgjatje të njëjtë për të gjithë fëmijët. Trajtimi përcaktohet në bazë të vlerësimit profesional dhe nevojave individuale të secilit fëmijë. Disa fëmijë mund të kenë nevojë për mbështetje për disa muaj, ndërsa të tjerë për disa vite. Gjatë gjithë procesit bëhen vlerësime periodike për të monitoruar progresin dhe për të përditësuar objektivat e trajtimit. Qëllimi nuk është ndjekja e trajtimit për një periudhe të caktuar kohore fikse, por arritja e aftësive që i mundësojnë fëmijës funksionim sa më të pavarur në shtëpi, shkollë dhe komunitet.

Në KUTIA puna organizohet në mënyrë të strukturuar për të garantuar vëmendje maksimale të fëmijës dhe cilësi të trajtimit.  

Seancat zhvillohen në dy forma: Seanca individuale (1:1), ku një terapist punon ekskluzivisht me një fëmijë sipas planit të tij të individualizuar të punës. Seanca grupore, ku zakonisht marrin pjesë 2 terapistë dhe 4–5 fëmijë me vështirësi të ngjashme zhvillimi, me aktivitete të planifikuara për zhvillimin e aftësive sociale, komunikimit dhe bashkëpunimit mes tyre.

Pavarësisht formatit të seancës, çdo fëmijë ka klasën dhe hapësirën e tij të punës, planin individual të detyrave dhe të sjelljes të përpiluar në detaje nga mbikqyrësit e punës terapeutike, materialet e personalizuara. 

Në KUTIA një terapist nuk punon asnjëherë me dy fëmijë në të njëjtën kohë apo në të njëjtin vend pune të punojnë njëkohësisht dy terapistë dhe dy fëmijë. Ky organizim siguron fokus individual, minimizon shpërqendrimet dhe mundëson zbatimin korrekt të planit terapeutik për secilin fëmijë.

 

Në KUTIA besojmë se prindërit janë pjesë e pandashme e procesit të trajtimit. Për këtë arsye, ata mund të kërkojnë takime konsultative në çdo kohë, pa pagesë, për të diskutuar rreth ecurisë së trajtimit, shqetësimeve që vërejnë në shtëpi, shkollë apo mjedise të tjera, si dhe për çdo pyetje ose kërkesë që lidhet me zhvillimin e fëmijës.

Çdo shqetësim apo kërkesë trajtohet me seriozitet nga ekipi ynë profesional, analizohet në mënyrë të detajuar dhe, kur është e nevojshme, përfshihet në planin e ndërhyrjes ose shoqërohet me rekomandime konkrete për prindërit dhe institucionet ku fëmija funksionon. Synimi ynë është të ndërtojmë një bashkëpunim të vazhdueshëm me familjen, sepse rezultatet më të mira arrihen kur prindërit dhe terapistët punojnë si një ekip.