Në këtë artikull do të shqyrtojmë se si zhvillohet komunikimi në fëmijërinë e hershme, rëndësinë e ndërveprimit të përditshëm dhe do të ofrojmë teknika praktike që prindërit mund t’i përdorin gjatë rutinave të përditshme për të nxitur dhe zhvilluar aftësitë komunikuese të fëmijëve të tyre.
Komunikimi te fëmijët është procesi përmes të cilit ata shprehin nevoja, emocione, mendime dhe kuptojnë botën përreth. Nuk është vetëm të folurit; përfshin edhe gjestet, shikimin, mimikën, tonin e zërit dhe mënyrat alternative si përdorimi i figurave, shenjave apo sistemeve të komunikimit alternativ. Në vitet e para të jetës, komunikimi zhvillohet me ritëm të shpejtë dhe është i lidhur ngushtë me zhvillimin e trurit, gjuhës, aftësive sociale dhe vetërregullimit emocional. Kjo periudhë është kritike, sepse formohen bazat e ndërveprimit social dhe të të nxënit.
Zhvillimi i komunikimit në fëmijërinë e hershme është një proces gradual dhe i ndërtuar mbi ndërveprime të përditshme, ku gjuha nuk zhvillohet vetëm si aftësi për të folur, por si aftësi për të kuptuar, për të shprehur nevoja dhe për të ndërtuar marrëdhënie sociale. Në këtë fazë, fëmija mëson përmes ekspozimit të vazhdueshëm ndaj gjuhës në kontekste reale dhe përmes reagimeve të të rriturve ndaj çdo forme të komunikimit, qoftë ajo verbale apo joverbale. Prandaj, ndërhyrja më efektive fillon në mjedisin familjar dhe vazhdon me struktura profesionale kur ka nevojë për mbështetje shtesë. Në shtëpi, komunikimi zhvillohet kryesisht përmes metodave natyrale dhe të përditshme që nuk kërkojnë mjete të specializuara, por që kërkojnë konsistencë dhe ndërveprim të ndjeshëm nga prindi. Këto metoda krijojnë bazën e kuptimit gjuhësor dhe ndihmojnë fëmijën të lidhë fjalën me veprimin, objektin dhe situatën. Ndërsa fëmija rritet dhe ekspozohet më shumë ndaj gjuhës, fillon edhe kalimi nga format joverbale të komunikimit në fjalë të vetme, pastaj në kombinime dyfjalëshe dhe më tej në struktura më komplekse. Ky tranzicion është kritik, sepse shënon kalimin nga komunikimi bazik në komunikim funksional dhe social.
Cfarë e ndihmon zhvillimin e komunikimit te fëmijët?
1. Biseda e vazhdueshme në situata të përditshme – Kjo metodë konsiston në ekspozimin e fëmijës ndaj gjuhës gjatë aktiviteteve rutinë, pa kërkuar domosdoshmërisht përgjigje nga ai. Prindi komenton çdo veprim që ndodh në mjedis, duke e lidhur gjuhën me situatën reale. Për shembull, gjatë ushqimit: “po hamë supë”, “është e nxehtë”, ose gjatë veshjes: “po i veshim këpucët”. Kjo ndihmon në ndërtimin e kuptimit gjuhësor dhe krijon lidhjen bazë mes fjalës dhe objektit apo veprimit.
2. Përshkrimi paralel – Në këtë teknikë prindi përshkruan atë që fëmija po bën në momentin aktual. Qëllimi është që fëmija të dëgjojë gjuhë të lidhur direkt me veprimet e tij pa presion për të folur. Për shembull, kur fëmija po ndërton me kuba, prindi thotë: “po vendos bllokun”, “po bën kullën”. Kjo e ndihmon fëmijën të lidhë veprimet me fjalët dhe të rrisë kuptimin funksional të gjuhës.
3. Loja – Loja është një nga mjetet më natyrale dhe më efektive për zhvillimin e komunikimit te fëmijët, veçanërisht në fazat e hershme të zhvillimit. Përmes lojës, fëmija nuk mëson gjuhën në mënyrë të izoluar, por në kontekst të gjallë, emocional dhe social, ku komunikimi ndodh në mënyrë spontane dhe funksionale. Loja krijon situata reale ndërveprimi, ku fëmija ka arsye të komunikojë, të kërkojë, të reagojë dhe të bashkëpunojë me të tjerët. Rëndësia e lojës qëndron në faktin se ajo lidh drejtpërdrejt gjuhën me veprimin dhe përvojën. Në vend që fëmija të mësojë fjalë të shkëputura, ai i përdor ato për të arritur një qëllim, për të shprehur dëshirë ose për të marrë pjesë në një aktivitet. Kjo e bën komunikimin më kuptimplotë dhe më të qëndrueshëm në kohë. Përmes lojës, zhvillohet jo vetëm fjalori, por edhe aftësitë sociale si marrja e radhës, vëmendja e përbashkët dhe kuptimi i rregullave të ndërveprimit.
4. Leximi interaktiv i librave me figura – Leximi nuk është pasiv, por përfshin pyetje, emërtim dhe diskutim të figurave. Prindi pyet “çka është kjo?”, “ku është qeni?”, ose komenton ngjarjen. Kjo rrit fjalorin, kuptimin gjuhësor dhe aftësinë për të ndjekur strukturë narrative. Duke nxitur kurreshtjen e fëmijës për të ndërvepruar apo kërkuar informacione në raport më atë që lexohet në libër apo shihet nga imazhet.
5. Përforcimi i inciatives për komunikim – Çdo formë komunikimi e fëmijës, qoftë gjest, shikim apo tingull, trajtohet si komunikim i vlefshëm dhe përforcohet menjëherë. Për shembull, nëse fëmija tregon ujë, prindi thotë “ujë” dhe ia jep. Kjo krijon lidhjen mes komunikimit dhe rezultatit, duke rritur motivimin për të komunikuar.
6. Krijimi i situatave të qëllimshme komunikimi – Më qëllim të rritët ndërveprim dhe përdorimin e komunikimit krijohen situata ku fëmija duhet të komunikojë për të marrë një objekt ose realizoj një aktivitet, si vendosja e lodrës jashtë arritjes ose në kuti të mbyllur. Kjo nxit inicimin e komunikimit dhe rrit spontanitetin, duke e bërë gjuhën më funksionale dhe të përdorshme në situata reale, duke ndihmuar fëmijën të zgjidh problmet me cilat përballet me anë të komunikimit.
Eksperti i këtij artikulli:
Blinera Sopa – Logopede/Terapiste
Blinera është pjesë e ekipit multidisiplinar në Institutin KUTIA, e specializuar në vlerësimin dhe trajtimin e vështirësive në të folur, gjuhë dhe komunikim funksional tek fëmijët.
