Një artikull udhëzues për prindërit që sqaron se çfarë nënkupton “koha para ekraneve” dhe si ekspozimi i hershëm ndaj medieve digjitale mund të ndikojë në përvetësimin e gjuhës, komunikimin, përqendrimin dhe zhvillimin social tek fëmijët e vegjël.
Në botën e sotme digjitale, ekranet janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme – si për të rriturit, ashtu edhe për fëmijët. Telefonat inteligjentë, tabletët, televizorët dhe pajisjet e tjera përdoren gjithnjë e më herët në fëmijëri, shpesh edhe para moshës dy vjeç. Kjo rritje e ekspozimit ka ngritur një pyetje të rëndësishme për prindërit dhe profesionistët: si ndikon koha para ekraneve në zhvillimin e gjuhës së fëmijëve? Zhvillimi i gjuhës është një nga proceset më të ndjeshme të fëmijërisë së hershme, dhe ndodh kryesisht përmes ndërveprimit me të rriturit. Prandaj, çdo faktor që ndikon në këtë ndërveprim, përfshirë përdorimin e ekraneve, meriton vëmendje të veçantë.
Çfarë nënkupton “koha para ekraneve”? Sipas literaturës shkencore, “koha para ekraneve” përkufizohet si koha e kaluar duke përdorur pajisje digjitale si: telefonat celularë, televizorët. tabletët dhe laptopët, videolojërat dhe kompjuterët.
Ajo mund të ndahet në dy forma kryesore:
- Koha aktive para ekraneve: Fëmija është i përfshirë në mënyrë aktive në aktivitet (p.sh. lojëra edukative, aplikacione interaktive), ku kërkohet mendim dhe veprim.
- Koha pasive para ekraneve: Fëmija është vetëm shikues (p.sh. televizor, video në YouTube), pa ndërveprim aktiv.
Mosha në të cilën fëmija ekspozohet ndaj ekraneve mund të ndikojë në zhvillimin e gjuhës dhe të rrisë rrezikun për vonesa gjuhësore. Sipas rekomandimeve, fëmijët nën moshën dy vjeç nuk duhet të ekspozohen në teknologji. Kjo lidhet me faktin se në këtë moshë fëmijët ende nuk e kanë zhvilluar plotësisht aftësinë e quajtur “përfaqësimi i dyfishtë” (dual representation), pra aftësinë për të kuptuar se një imazh në ekran përfaqëson një objekt ose ngjarje reale. Kjo aftësi fillon të zhvillohet rreth moshës dyvjeçare dhe konsolidohet pas kësaj moshe. Udhëzimet aktuale rekomandojnë që fëmijët nën moshën 2 vjeç të mos kenë fare ekspozim ndaj ekraneve, ndërsa fëmijët nga mosha 2 deri në 5 vjeç të kalojnë më pak se një orë në ditë.
Disa studime tregojnë se karakteristikat e stimujve (përmbajtjes) mund të ndikojnë gjithashtu në zhvillimin e gjuhës. Është e këshillueshme që të merren parasysh karakteristikat e videove kur zgjidhet një program për fëmijë. Videot me ritëm të shpejtë, me pak pamje nga afër (close-ups), me imazhe që ndryshojnë ose pulsojnë, me gjuhë të reduktuar mund të ndikojnë në vonesë të zhvillimit të gjuhës. Videot me ritëm të shpejtë mund të jenë të ngarkuara kognitivisht për fëmijët.
Mënyrën se si ekzpozimi ndaj ekranit ndikon të fëmijët është raportuar në forma të ndryshme dhe është i lidhur me disa faktorë.
Ndikimet negative
Shumë studime kanë gjetur se ekspozimi i tepërt ndaj ekraneve mund të lidhet me:
- vonesa në zhvillimin e gjuhës
- fjalor më të kufizuar
- ulje të ndërveprimit prind–fëmijë
- vështirësi në përqendrim dhe kuptim
- ndikim në aftësitë e hershme akademike
Faktorët që e përcaktojnë ndikimin
- Mosha e fëmijës (sa më i vogël, aq më i ndjeshëm)
- Kohëzgjatja e ekspozimit (orët në ditë)
- Cilësia e përmbajtjes (edukative vs. pasive)
- Ndërveprimi me prindërit gjatë shikimit
Është me rëndësi të theksohet se aspektet gjuhësore si fjalori, fonologjia, morfosintaksa (mënyra se si ndërtohen fjalët dhe si kombinohen ato për të formuar fjali të sakta) dhe pragmatika zhvillohen gjatë periudhës kritike të fëmijërisë së hershme përmes ndërveprimit me të rriturit. Megjithatë, është vërejtur se fëmijët që kalojnë më shumë kohë para ekraneve kanë më pak ndërveprim prind-fëmijë, gjë që mund të pengojë zhvillimin e tyre.
Analizimi i ndikimit të kohës para ekraneve në zhvillimin e të folurit dhe gjuhës kërkon marrjen parasysh të disa faktorëve, si koha e ekspozimit, nëse dikush e shikon bashkë me fëmijën, lloji i përmbajtjes që shikohet dhe variabla të tjera që mund të ndikojnë në aftësitë gjuhësore. Fëmijët nën moshën dy vjeç kanë vështirësi në kuptimin e informacionit dhe zakonisht nuk mund të përvetësojnë njohuritë e marra nga mediat digjitale. Fëmijët kanë nevojë për komunikim ballë për ballë me anëtarët e familjes ose kujdestarët për të përmirësuar zhvillimin e tyre gjuhësor dhe të nxënit.Të rriturit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj ekspozimit të mediave në sfond kur fëmijët janë të pranishëm. Hulumtimet tregojnë se kjo mund të ndikojë në fjalorin e fëmijëve, aftësitë ekzekutive, cilësinë e lojës, përvetësimin e gjuhës, përqendrimin dhe kuptimin, veçanërisht tek fëmijët nën pesë vjeç.
Studimet afatëgjate që kanë matur aftësitë gjuhësore, performancën në fushat arsimore si shkrimi, numërimi dhe njohja e shkronjave, si dhe funksionimi social i fëmijëve në marrëdhënie me bashkëmoshatarët kanë treguar se qëndrimi për një kohë të gjatë para ekraneve në fëmijërinë e hershme është lidhur me rezultate më të ulëta në zhvillimin e gjuhës, veçanërisht në fjalor dhe komunikim. Po ashtu, u vërejtën vështirësi edhe në aftësitë arsimore, përfshirë shkrimin, numërimin dhe njohjen e shkronjave, të cilat janë tregues të rëndësishëm të gatishmërisë për shkollë. Përveç kësaj, ekspozimi më i lartë ndaj ekraneve u shoqërua me më shumë probleme në marrëdhëniet me bashkëmoshatarët, mosha 4-8 vjec.
Eksperti i këtij artikulli:
Festona Avdiu – Psikologe Këshillimi dhe Udhëheqëse Ekzekutive
Festona thekson rëndësinë e edukimit të prindërve mbi rutinën e shëndetshme dixhitale të fëmijëve dhe ndikimin e saj në shëndetin mendor dhe zhvillimin social.
