Seanca psikologjike dhe logopedike

Seanca terapeutike individuale të përshtatura sipas nevojave të fëmijës, të cilat ofrohen në ambientet e Institutit KUTIA, në shtëpi dhe në kopshte përmes qasjeve specifike terapeutike.

Seanca ergoterapeutike

Ndërhyrje që synojnë zhvillimin e aftësive funksionale, motorikës fine, përpunimit ndijor, kujdesit për veten dhe pavarësisë në aktivitetet e përditshme.

Seancat terapeutike individuale dhe grupore

Seancat individuale janë realizim i stimulimit terapeutik për fëmijën, duke punuar në stimulimin emocional, kognitiv, social dhe motorik. Kjo formë e punës krijon mundësi që ndërhyrja të jetë më e personalizuar, e strukturuar dhe e përshtatur me ritmin e zhvillimit të secilit fëmijë. Në institutin tonë, çdo fëmijë trajtohet në mënyrë individuale, duke u bazuar në vlerësimin fillestar, nevojat zhvillimore, profilin e të mësuarit, mënyrën e komunikimit, interesat, sjelljet dhe nivelin aktual të funksionimit. Në bazë të këtyre të dhënave, hartohet një plan individual zhvillimor, i cili përfshin objektivat kryesore në fusha të ndryshme si komunikimi, ndërveprimi social, aftësitë njohëse, loja, vetëkujdesi, pavarësia, rregullimi emocional dhe përshtatja në rutina të përditshme.

Gjatë seancave individuale përdoren qasje të ndryshme terapeutike si ABA, DIR FLOORTIME, PRT, ESDM, CBT, në varësi të nevojave të fëmijës dhe qëllimeve të përcaktuara në plan. Puna mund të përfshijë elemente të lojës terapeutike, ndërhyrje zhvillimore, strategji të bazuara në analizën e sjelljes, qasje natyrale të të mësuarit, mbështetje në komunikim, aktivitete për rregullimin emocional, nxitje të ndërveprimit social dhe aktivitete për zhvillimin e pavarësisë. Kjo do të thotë se seanca nuk është e njëjtë për çdo fëmijë, por ndërtohet në mënyrë të veçantë, duke respektuar moshën, potencialin, interesat dhe sfidat e secilit.  Një element i rëndësishëm i seancave individuale është ambienti i punës, ku secili fëmijë ka hapësirën e vet të punës, ku mund të angazhohet në aktivitete pa u penguar nga fëmijët e tjerë dhe pa ndërhyrje të panevojshme nga ambienti përreth. Kjo ndihmon në rritjen e përqendrimit, uljen e shpërqendrimeve, krijimin e një rutine më të qartë dhe ndërtimin e një marrëdhënieje më të sigurt me profesionistin.

Seancat terapeutike online

Seancat online janë një formë fleksibile dhe shumë praktike e mbështetjes profesionale, për prindërit dhe familjet që nuk kanë mundësi të jenë fizikisht në mjedisin terapeutik, jetojnë larg, ndodhen jashtë vendit apo kanë nevojë për udhëzim të vazhdueshëm nga distanca. Kjo formë e shërbimit krijon mundësi që mbështetja profesionale të jetë më e qasshme, më e rregullt dhe më e përshtatur me nevojat e familjes. Një nga përfitimet kryesore të seancave online është qasja më e lehtë e prindërve në mbështetje profesionale.

Seancat online janë veçanërisht të rëndësishme për psikoedukimin e prindërve. Përmes tyre, prindërit mund të kuptojnë më mirë zhvillimin e fëmijës, mënyrën se si fëmija komunikon, arsyet pse mund të shfaqen sjellje sfiduese dhe mënyrat më të përshtatshme për ta mbështetur fëmijën në përditshmëri. Psikoedukimi i ndihmon prindërit të mos ndihen të pasigurt apo të vetëm në proces, por të kenë më shumë qartësi, njohuri dhe mjete praktike për të vepruar në situata konkrete. Përmes seancave online mund të realizohen këshillime prindërore, udhëzime për menaxhimin e sjelljes, përcjellje e progresit, konsultime rreth zhvillimit të fëmijës, mbështetje për zbatimin e strategjive në shtëpi, si dhe diskutime rreth sfidave që shfaqen në rutinat e përditshme. Seancat online kanë rëndësi të veçantë edhe për familjet që jetojnë në mërgatë. Shumë prindër shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mund të kenë nevojë për konsultim në gjuhën shqipe, për të kuptuar më mirë zhvillimin e fëmijës, për të diskutuar shqetësimet e tyre apo për të marrë orientim se ku dhe si duhet të kërkojnë mbështetje të mëtejshme.

Seancat terapeutike në shtëpi

Seancat në shtëpi ofrojnë mundësinë që fëmija të mbështetet në ambientin ku ai jeton, rritet dhe funksionon çdo ditë. Puna në shtëpi krijon mundësi që ndërhyrja të lidhet drejtpërdrejt me rutinat e përditshme të fëmijës dhe familjes. Rëndësia e seancave në shtëpi qëndron në faktin se profesionisti e sheh fëmijën në ambientin e tij natyror. Kjo ndihmon në kuptimin më të saktë të mënyrës se si fëmija komunikon, si ndërvepron me familjarët, cilat situata e motivojnë, cilat janë vështirësitë më të shpeshta dhe cilët faktorë ndikojnë në sjelljen e tij.

Një nga përfitimet kryesore të seancave në shtëpi është gjeneralizimi i aftësive. Gjeneralizimi nënkupton që fëmija të mos e përdorë një aftësi vetëm në një mjedis, por ta përdorë atë edhe në shtëpi, me prindërit, me motrat/vëllezërit dhe në situata të ndryshme të përditshme. Gjithashtu, seancat në shtëpi e rrisin edhe natyralitetin e të mësuarit. Fëmija mëson më lehtë kur aftësitë lidhen me aktivitete që kanë kuptim për të, përshkak se kur të mësuarit ndodh brenda rutinave të zakonshme, ai bëhet më i natyrshëm, më funksional dhe më i lehtë për t’u përdorur në jetën e përditshme. Familja përfiton shumë nga ky lloj shërbimi, sepse prindërit nuk janë vetëm vëzhgues të procesit, por bëhen pjesë aktive e tij.

Në aspektin e përgjithshëm, seancat në shtëpi ndihmojnë që ndërhyrja të mos mbetet e kufizuar vetëm brenda institucionit ku fëmija trajtohet, por të shtrihet edhe në ambientet ku fëmija jeton realisht. Kjo krijon vazhdimësi mes punës profesionale dhe jetës familjare, rrit efektivitetin e ndërhyrjes dhe ndihmon që aftësitë e fituara të jenë më të qëndrueshme, më praktike dhe më të përdorshme në përditshmëri.

Seancat terapeutike në kopsht

Seancat në kopsht realizohen me qëllim që të përmirësohet  funksionimi i fëmijëve në grup, si komunikon me bashkëmoshatarët, si reagon ndaj udhëzimeve të edukatorëve, si përfshihet në aktivitete, si përballet me ndryshimet gjatë ditës dhe mënaxhimin situatave që mund të nxisin vështirësi në sjellje, komunikim apo ndërveprim. Prandaj, një nga qëllimet kryesore të seancave në kopshte është rritja e gjithëpërfshirjes. Fëmija mbështetet që të mos qëndrojë i veçuar nga grupi, por të përfshihet gradualisht në aktivitete, lojëra dhe rutina të përbashkëta. Në aspektin e përgjithshëm, seancat në kopshte ndihmojnë që mbështetja për fëmijën të jetë më e plotë dhe më e lidhur me jetën e tij reale. Ato krijojnë një urë bashkëpunimi mes familjes, institutit dhe kopshtit, duke siguruar që të gjithë personat që janë pjesë e përditshmërisë së fëmijës të kenë një kuptim të përbashkët për nevojat, qëllimet dhe mënyrat më të mira të mbështetjes së tij.

Qasjet terapeutike dhe modelet e ndërhyrjes në KUTIA

ABA/VB – Analiza e Aplikuar e Sjelljes dhe Sjellja Verbale Ndërhyrje e strukturuar për zhvillimin e komunikimit, të nxënit, aftësive sociale, pavarësisë dhe menaxhimin e sjelljeve sfiduese.

DIR Floortime – Qasje zhvillimore dhe relacionale që mbështet komunikimin, ndërveprimin, rregullimin emocional dhe krijimin e marrëdhënieve përmes lojës dhe interesave të fëmijës.

PRT – Pivotal Response TreatmentQasje natyraliste që synon zhvillimin e aftësive kyçe, si motivimi, komunikimi spontan, ndërveprimi social dhe reagimi ndaj mundësive të të nxënit.

ESDM – Early Start Denver Model – Model i ndërhyrjes së hershme që ndërthur lojën, marrëdhënien dhe parimet e analizës së sjelljes për të mbështetur zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës.

CBT – Terapia Kognitive e Sjelljes – Qasje terapeutike që ndihmon fëmijët dhe adoleshentët të kuptojnë lidhjen ndërmjet mendimeve, emocioneve dhe sjelljeve dhe të zhvillojnë strategji funksionale për përballimin e vështirësive.