Çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e vet. Disa fëmijë ecin, flasin, luajnë ose ndërveprojnë më herët, ndërsa të tjerë kanë nevojë për më shumë kohë. Megjithatë, kur vonesat janë të dukshme, vazhdojnë për një periudhë më të gjatë ose shfaqen në disa fusha të zhvillimit, është e rëndësishme të mos pritet pa vlerësim profesional. Shqetësimi i prindit është shpesh pika e parë që ndihmon në identifikimin e hershëm të nevojave të fëmijës.
Çfarë nënkuptojmë me vonesë në zhvillim?
Vonesa në zhvillim nënkupton kur një fëmijë nuk arrin aftësitë që zakonisht priten për moshën e tij, në një ose më shumë fusha të zhvillimit, si komunikimi, të kuptuarit, motorika, loja, ndërveprimi social, vetërregullimi emocional ose shkathtësitë e përditshme. Këto aftësi njihen si “momente zhvillimore” dhe përfshijnë mënyrën se si fëmiu luan, mëson, flet, vepron dhe lëviz. Vonesa mund të paraqitet vetëm në një fushë të caktuar, për shembull në të folur, ose mund të përfshijë disa fusha njëkohësisht, si zhvillimin motorik, gjuhësor, kognitiv, social-emocional dhe aftësitë e përditshme. Në rastet kur vonesa është e pranishme në dy ose më shumë fusha të zhvillimit, ajo mund të konsiderohet si vonesë më e gjerë zhvillimore dhe kërkon vlerësim më të detajuar profesional.
Kur duhet të kërkoni vlerësim profesional?
Si prind duhet të kërkoni këshillim profesional, kur vëreni se fëmija nuk po i arrinë aftësitë kryesore për moshën, kur humb aftësi që më parë i kishte fituar, ose kur zhvillimi i tij dallon dukshëm nga fëmijët e së njëjtës moshë. Vëmendje të veçantë meritojnë situatat kur fëmija nuk reagon ndaj emrit të tij, ka kontakt të kufizuar me sy, nuk tregon me gisht, nuk përdor gjeste apo fjalë për të komunikuar, ka vështirësi të kuptojë udhëzime të thjeshta, nuk përfshihet në lojë funksionale, shmang ndërveprimin me të tjerët ose shfaq reagime të forta ndaj ndryshimeve në rutinë. Shqetësuese është gjithashtu kur vështirësitë ndikojnë në përditshmërinë e fëmijës: në mënyrën si kërkon ndihmë, si luan, si komunikon nevojat, si përshtatet në ambiente të ndryshme, ose si merr pjesë në aktivitete me të rritur dhe fëmijë të tjerë.
Pse është e rëndësishme të mos pritet gjatë?
Shprehje si “do të flasë vetë më vonë” ose “është vetëm fazë” mund të vonojnë marrjen e ndihmës së nevojshme. Jo çdo vonesë nënkupton diagnozë, por çdo shqetësim i qëndrueshëm meriton vlerësim. Udhëzimet profesionale theksojnë rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të zhvillimit dhe të vleresimit zhvillimor, sepse identifikimi i hershëm u mundëson fëmijëve dhe familjeve të marrin shërbime mbështetëse sa më herët dhe të ndihmojnë fëmijët të arrijë bashkëmoshatrët.
Ndërhyrja e hershme mund të ndihmojë në përmirësimin e komunikimit, sjelljes, aftësive sociale, pjesëmarrjes në aktivitete dhe pavarësisë së fëmijës. Sa më herët të kuptohen nevojat e fëmijës, aq më mirë mund të përshtatet plani i punës me profilin e tij zhvillimor dhe me nevojat e familjes, njëkohësishtë të zbut apo largojë vështirësinë që ka fëmija.
Çfarë mund të bëni si prind?
Hapi i parë është vëzhgimi i kujdesshëm i fëmijës në situata të përditshme. Si prind, ju mund të mbani shënime për aftësitë që fëmija i ka arritur, situatat ku has vështirësi dhe shembuj konkretë nga komunikimi, loja, ndërveprimi me të tjerët, sjellja dhe përshtatja ndaj ndryshimeve. Monitorimi zhvillimor përfshin vëzhgimin e mënyrës se si fëmija luan, mëson, flet, vepron dhe lëviz në përputhje me moshën e tij (Centers for Disease Control and Prevention [CDC], 2026). Për këtë arsye, është e rëndësishme të vlerësohet jo vetëm nëse fëmija “e di” një aftësi, por edhe nëse e përdor atë në mënyrë funksionale në jetën e përditshme: a kërkon ndihmë, a shpreh nevojat, a kupton udhëzime, a përdor fjalë ose gjeste për të komunikuar dhe a përfshihet në lojë apo aktivitete të përshtatshme për moshën.
Nëse vëreni vështirësi të vazhdueshme, rekomandohet të kërkoni vlerësim nga profesionistët përkatës. Identifikimi i hershëm i vështirësive zhvillimore është i rëndësishëm, sepse ndihmon në kuptimin më të saktë të nevojave të fëmijës dhe në planifikimin e ndërhyrjes së përshtatshme. Varësisht nga shqetësimi, fëmija mund të ketë nevojë për vlerësim nga psikologu, logopedi, pediatri zhvillimor, terapeuti okupacional, fizioterapeuti apo profesionistë të tjerë të zhvillimit. Psikologu vlerëson funksionimin kognitiv, social, emocional dhe sjellor të fëmijës; logopedi vlerëson të folurit, gjuhën, të kuptuarit dhe komunikimin funksional, fusha të cilat janë thelbësore për pjesëmarrjen e fëmijës në familje, lojë dhe ambiente sociale.
Me rëndësi për prindërit
Nëse ju shqetëson zhvillimi i fëmijës, është më e dobishme të kërkoni një vlerësim sesa të prisni me pasiguri. Vlerësimi profesional nuk ka për qëllim të vendosë menjëherë një diagnozë, por të kuptojë se si mëson, komunikon dhe funksionon fëmija, si dhe çfarë lloj mbështetjeje i nevojitet. Sa më herët të identifikohen nevojat, aq më shumë mundësi ka që fëmija të mbështetet në mënyrë të përshtatur, të qëndrueshme dhe profesionale.
